Marta Kos i kërkoi Qeverisë të miratojë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar integrimin në BE
Pas takimit me Bekim Salin, Kos tha se miratimi i amendamenteve do t'i lejojë përparimet pa vendime të reja politike.

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, në Bruksel i bëri thirrje Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që të miratojë ndryshimet kushtetuese, të cilat sipas saj janë hapi i nevojshëm për të vazhduar procesin e integrimit në BE.
Kos zhvilloi një takim ballë për ballë me zv/kryeministrin dhe ministrin për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili qëndron për një vizitë tre-ditore në Bruksel dhe po zhvillon takime me përfaqësues të institucioneve evropiane rreth çështjeve të anëtarësimit.
Komisionerja apelon për zgjidhje të shpejtë
Pas takimit Kos deklaroi: "Nuk ka shumë gjëra që duhet të bëhen. Ka shumë, por bëhet fjalë për një hap—ndryshimet kushtetuese. Pasi të miratohen amendamentet kushtetuese, ne do të mund të vazhdojmë pa vendime të mëtejshme politike. Prandaj, ky është apeli im ndaj Qeverisë: Ju lutem, bëjeni, përmbushni detyrimin tuaj. Jam e sigurt se atëherë do të mund të ecim përpara, në interesin më të mirë të qytetarëve tuaj."
Kos gjithashtu vuri në dukje kontekstin rajonal: "Shpresoj se shumë shpejt do të nënshkruajmë marrëveshjen e anëtarësimit me Malin e Zi. Dhe Shqipëria po përparon mirë. Pra, ky është momenti i duhur që Maqedonia e Veriut të ecë përpara. Varet nga politikanët e Maqedonisë së Veriut të përmbushin pritjet," tha ajo.
Bekim Sali pas takimit theksoi se procesi i zgjerimit duhet të jetë i parashikueshëm, i bazuar në merita dhe rezultate të matshme, dhe se integrimi në BE duhet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset. Ai përmendi se në biseda u trajtuan edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, zbatimi i Agjendës së Reformave dhe mundësitë për përfshirje të gradualshme në tregun e përbashkët të BE-së, si dhe pjesëmarrja në SEPA, zgjerimi i modelit "Roam Like at Home" dhe bashkëpunimi në transformimin digjital.
Foto: MEP


