Udhëheqësit e ASEAN u mblodhën në Filipine për të diskutuar Detin e Kinës Jugore, Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
Udhëheqësit e 11 vendeve anëtare diskutuan tensionet rajonale, Mianmarin dhe praninë e partnerëve ndërkombëtarë.

Udhëheqësit e 11 shteteve anëtare të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) u mblodhën sot në Filipine për një samit ku në fokus janë kontestet territoriale dhe konfliktet në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.
Presideti i Filipinave, Ferdinand Marcos Jr., që mban postin e pritësit, në fjalimin e hapjes theksoi se vendet anëtare ndryshojnë në madhësi, histori, kulturë dhe rrethana politike, por janë të bashkuara në përpjekjet për t’u përballur me sfidat e përbashkëta.
Ai vuri në dukje se tensionet gjeopolitike, pasiguritë ekonomike, teknologjitë e reja, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet transnacionale po ndryshojnë rajonin me një ritëm që asnjë shtet nuk mund ta përballojë i vetëm.
Partnerët ndërkombëtarë dhe pika të tjera në axhendë
Ndër pikat e axhendës janë edhe mosmarrëveshjet territoriale në Detin e Kinës Jugore, si dhe diskutimet për luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Për t’u diskutuar më vonë gjatë ditës është edhe një propozim për rifillimin e bashkëpunimit me Mianmarin; udhëheqja ushtarake e këtij vendi është përjashtuar nga takimet e nivelit të lartë të ASEAN që nga tetori i vitit 2021 pas grushtit të shtetit që rrëzoi qeverinë e zgjedhur, përfshirë edhe Aung San Suu Kyi.
Në seancat e nesërme do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga vendet partnere si Japonia, Kina, Koreja e Jugut, India, Australia dhe Rusia. Kina do të përfaqësohet nga kryeministri Li Qiang, i cili do të takojë udhëheqësit e ASEAN-it, por pritet të largohet para mbërritjes së delegacionit amerikan. Rusia do të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov, i cili pritet të mbërrijë të martën.
Sipas zyrtarëve filipinas, presidenti amerikan Donald Trump pritet të arrijë në Manilë të martën pas përfundimit të samitit, i shoqëruar nga sekretari i Shtetit Marco Rubio. Trump do të marrë pjesë në një samit të veçantë me udhëheqësit e ASEAN-it dhe do të ketë takime me përfaqësues nga Japonia, Australia dhe India.
Vendet anëtare të ASEAN janë Brunei, Kamboxha, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tajlanda, Vietnami dhe Timori i Lindjes.
Foto: material shtypi nga ngjarja


