Ministria e Punëve të Brendshme: 25 kallëzime për dhunë familjare, 14 arrestime
Policia trajtoi 25 kallëzime për dhunë në familje nga 1 nëntori deri sot në 16 komunat dhe arrestoi 14 persona për dyshime për sulme dhe kërcënime.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se nga 1 nëntori deri sot, punonjësit e policisë kanë trajtuar 25 kallëzime për dhunë në familje dhe dhunë në marrëdhënie partnere në zonat e Shkupit, Kumanovës, Koçanit, Shtipit, Velës, Ohrit, Gostivarit, Kavadarcit, Prilepit, Bitolës, Tetovës, Berovës, Strugës, Kërçovës, Sveti Nikollës dhe Strumicës.
Gjatë procedimit të disa rasteve, policia ka privuar nga liria dhe ka arrestuar 14 persona, për shkak të dyshimeve për sulme fizike, kërcënime dhe forma të tjera të sjelljes dhunshme kundër anëtarëve të familjes dhe partnerëve aktualë ose ish-partnerëve.
Çfarë njofton Ministria
"Në mesin e rasteve të raportuara ka sulme fizike ndaj bashkëshortëve, ish-partnerëve, prindërve, fëmijëve, vëllezërve dhe motrave, si dhe raste të maltretimit psikologjik, kërcënimeve dhe ngacmimeve. Janë evidentuar edhe raste të mosrespektimit të masave mbrojtëse të nxjerra, si dhe mosrespektim i vendimeve të qendrave për punë sociale lidhur me realizimin e takimeve me fëmijët e mitur. Në një prej rasteve në Shkup, një person me një mjet të mprehtë i ka drejtuar kërcënime nënës së tij, ndërsa në një rast tjetër në Tetovë është raportuar ndjekje dhe kërcënime nga një ish-partner, duke mos respektuar masat mbrojtëse të dhëna nga gjykata," njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Ministria thekson se janë raportuar edhe raste të dhunës fizike ndaj të miturve dhe sjellje kërcënuese brenda familjes.
Pasi rastet të dokumentohen plotësisht, do të paraqiten kallëzime dhe padi të përshtatshme kundër personave të përfshirë. Policia vepron ndaj çdo kallëzimi për dhunë në familje dhe merr të gjitha masat ligjore për zbardhjen dhe ndëshkimin e autorëve.
Ministria i bën thirrje qytetarëve të mos heshtin dhe të lajmërojnë në kohë çdo formë të dhunës në familje, që institucionet kompetente të mund të reagojnë me kohë.
Foto: material shtypi nga ngjarja


