Pa hapësira të veta: biblioteka e Tetovës 'Koço Racin' mori statusin universitar
Statusi i ri pritet të përmirësojë shërbimet akademike, por fondet dhe hapësirat mbeten të shpërndara derisa objekti i 2014 të përfundojë.

Biblioteka "Koço Racin" në Tetovë mori statusin e Bibliotekës Universitare — një ndryshim që stafi e përshkruan si ngritje të statusit, por institucionit ende i mungojnë hapësirat e veta. Ndërtimi i objektit të ri, i destinuar për bibliotekën, nisi në 2014 dhe pas 12 vitesh nuk është futur ende në funksion.
Stafi i bibliotekës e përshëndeti ndryshimin e statusit si një hap të rëndësishëm për Tetovën si qendër universitare dhe si një kontribut për përmirësimin e arsimit të lartë, shkencës dhe shërbimeve bibliotekare.
"Fitojmë sepse do të përmirësohemi. Sipas Ligjit për botime, nenet 12 dhe 15, shtëpitë botuese duhet të dorëzojnë kopje të detyrueshme në bibliotekat. Pra automatikisht një kopje nga çdo libër i botuar do të dorëzohet edhe në bibliotekën tonë," tha Binas Pajaziti, drejtor i Bibliotekës "Koço Racin".
Hapësirat e përkohshme dhe magazinimi mbeten problem
Biblioteka shënoi 80-vjetorin e themelimit vitin e kaluar, por gjatë viteve ka ndryshuar tri herë lokacionet. Aktualisht funksionon në pjesë të Qendrës për Kulturë, ndërsa shumë pjesë të fondit ruhen në magazina.
Objekti i ri, i vendosur në afërsi, nisi të ndërtohet në 2014 dhe ende nuk është funksional. Sedat Sulejmani, ministri i Kulturës dhe Turizmit, shprehu shpresën se do të fillojnë punimet e brendshme në mënyrë që objekti të mund të shërbejë si për bibliotekën ashtu edhe për Teatrin e Tetovës.
"Pra, jemi afër finalizimit, duhet të them, me buxhetin për 2027. Jemi në negociata me Ministrinë e Financave dhe shpresoj që do të ndajmë mjete të mjaftueshme që këtë vit të fillojë puna në bibliotekë," tha Sulejmani.
Shton pasigurinë fakti se në Tetovë prej dy vjetësh po zhvillohet një proces gjyqësor lidhur me ndërtimin e objektit të ri — katër persona dhe një person juridik janë të akuzuar për disa vepra penale të lidhura me projektin.
Foto: material shtypi nga ngjarja


