Kontrolle në Shtip e Shkup për dyshime të shitjes së notave në Universitetin 'Goce Delçev'
I dyshuar është R.T., drejtues i sektorit IT; gjatë kontrollimeve u sekuestrua një sasi e madhe parash, hetimi udhëhiqet nga Prokuroria Themelore e Shtipit.

Policia po kryen kontrollime në disa lokacione në Shtip dhe Shkup në kuadër të një hetimi për manipulim të dyshuar të notave, pikëve të provimit dhe dosjeve të studentëve në Universitetin "Goce Delçev" në Shtip.
Hetimi është i përqendruar tek një punonjës i universitetit, i identifikuar me inicialet R.T., drejtues i sektorit IT, i dyshuar për ndërhyrje të paligjshme në regjistrin elektronik të studentëve.
Kontrollet dhe dyshimet
Informacionet e para tregojnë se i dyshuari dyshohet se ka ndryshuar pikët e provimeve, ka fshirë nota dhe ka mundësuar regjistrimin e semestrave për studentë që nuk i plotësonin kushtet e nevojshme, në këmbim të pagesës. Ndërhyrjet e dyshimta kryesisht kishin të bënin me studentë nga Turqia.
Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit u gjet një sasi e konsiderueshme parash të gatshme; shuma e saktë dhe lidhja e parave me hetimin nuk janë bërë ende publike.
Policët nga Departamenti për Policinë Kriminale, Drejtoria Rajonale e Policisë Shtip, Drejtoria Rajonale e Policisë Shkup dhe Sektori për Kriminalitetin Kibernetik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme po kryejnë kontrolle me urdhër gjyqësor të nxjerrë nga Prokuroria Themelore e Shtipit, në lidhje me kryerjen e veprave penale „keqpërdorim i pozitës dhe i kompetencave zyrtare" dhe „dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik" nga ana e R.T., drejtues i sektorit informatik në Universitetin "Goce Delçev" në Shtip.
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se: "Pasi të përfundojë plotësisht aksioni, në mënyrë të përshtatshme do ta informojmë opinionin publik." Hapat e mëtejshëm procedurialë dhe ndonjë aktakuzë eventuale do të varen nga rezultatet e hetimit në vazhdim.
Foto: material shtypi nga ngjarja


