Mesatarja 3,66 për Maturën shtetërore; Janevska e kënaqur me rezultatet
Ministria bëri publike mesataret për tre llojet e maturës dhe shifrat për teste të anuluara dhe ankesa.

Mesatarja e përgjithshme e notave nga provimet e Maturës shtetërore të mbajtura në qershor këtë vit është 3.66, njoftoi në konferencë për shtyp ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
Kjo mesatare përfshin tre drejtime të maturës: Matura shtetërore e përgjithshme, Matura shtetërore profesionale dhe Matura shtetërore artistike. Individualisht, mesatarja për maturën shtetërore është 3.62, për maturën profesionale 3.91 dhe për maturën artistike 3.59.
Janevska tha se është e kënaqur me rezultatet, duke theksuar se mesatarja është thuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar (3.69), ndërsa në vitin 2024 mesatarja ishte 3.26.
"Mendoj se këto janë rezultate objektive për shkak të përgatitjes së të gjithë të përfshirëve në organizimin e maturës. Këtë vit për herë të parë u zhvillua provimi sipas një Koncepti të ri që parashikonte tre lloje të maturës – shtetërore, profesionale dhe artistike, me ç'rast, të gjithë nxënësit u testuan mbi materialin që realisht e kishin studiuar gjatë katër viteve të arsimit të mesëm, gjë që nuk kishte qenë rasti më parë kur të gjithë u testuan mbi të njëjtin material", tha Janevska.
Rastet e kopjimit dhe ankesat
Ministrja njoftoi gjithashtu ulje të rasteve të kopjimit: testet e 226 nxënësve u anuluan gjatë seancës së qershorit. Disa u kapën duke kopjuar në vendin e provimit, ndërsa për disa të tjerë u konstatua kopjimi pas rishikimit të testeve. Ata do të riprovojnë në gusht.
Drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve, Daniela Jovchevska-Mihajlovska, deklaroi se janë dorëzuar 805 ankesë për rezultatet, dhe 133 nxënës realizuan inspektim të testeve të tyre.
Për provimet eksternë në sesionin e qershorit ishin regjistruar gjithsej 14,587 kandidatë: 12,184 për Maturën shtetërore të përgjithshme, 2,276 për maturën shtetërore profesionale dhe 127 për maturën shtetërore artistike. Nuk u paraqitën 348 të regjistruar ose 2.39 për qind.
Foto: material shtypi nga ngjarja


