SDSM: Diplomacia në korridor nuk mund të paraqitet si takim në nivel të lartë
Opozita pyet për agjendë zyrtare, përmbledhje nga Departamenti i Shtetit dhe ngre dilema mjedisore rreth grantit prej 5 milionë dollarësh.

SDSM reagoi ndaj mënyrës se si kryeministri Hristijan Mickoski e ka paraqitur vizitën në Shtetet e Bashkuara, duke vlerësuar se një bisedë joformale në korridor me sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio nuk mund të paraqitet si një takim zyrtar në nivel të lartë politik.
Partia thekson se si rezultat kryesor nga vizita po paraqitet një grant prej pesë milionë dollarësh për zhvillimin e antimoniut në Krstov Dol, Luke dhe Kriva Palanka, ndërsa biseda me Rubio, sipas SDSM, është përshkruar si takim në “nivel ultra të lartë politik.”
Protokolli dhe pyetjet publike
SDSM e kritikon protokollin dhe mënyrën e prezantimit të takimit, duke thënë se një takim i atij rangu zhvillohet në mënyrë formale. "Një takim i këtij rangu zhvillohet në zyrë, në sallë, me agjendë dhe procesverbal. Jo në korridor. Jo i çelur (i palidhur). Jo pa kravatë. Jo me duart në xhepa," tha partia.
Në deklaratë partia shton një përshkrim sarkastik për paraqitjen e përfaqësimit të vendit: "Kështu na paraqet elita e vetëdeklaruar. Si në kafene. Ndërsa vetë popullin e quajnë përzierje, elita me të vërtetë u duk. Në nivel," shkruan partia.
Opozita vlerëson se vizita e Mickoskit në SHBA më shumë ngjan me një “ekskursion” sesa me një aktivitet serioz diplomatik dhe pyet nëse për bisedën me Rubion ekziston një agjendë zyrtare, një njoftim i përbashkët i Departamentit të Shtetit apo ndonjë dokument i nënshkruar. Partia gjithashtu reagoi për përbërjen dhe shpenzimet e delegacionit që e shoqëron kryeministrin dhe për mënyrën se si qeveria e prezanton vizitën para publikut.
Në lidhje me grantin e njoftuar prej pesë milionë dollarësh, SDSM ngre dyshime për pasojat ekonomike dhe mjedisore nga nxjerrja e antimoniut në rajonin e Kriva Palankës. Partia vë në dukje se antimoni është një metal që përdoret, mes tjerash, edhe në industrinë ushtarake, dhe se nxjerrja, përpunimi dhe magazinimi i mbetjeve ngre pyetje për ndikimin në tokë, ujë dhe ajër. SDSM e krahason këtë shumë me mjetet që, sipas partisë, janë shpenzuar për festimin e pavarësisë, duke thënë: "Për paraqitjen në festim hodhën 5,53 milionë euro para publike, ndërsa kryeministri kthehet nga Amerika me pesë milionë dollarë për një minierë."
Foto: material shtypi nga ngjarja


