Kryefaqja
Maqedonia

Shasivari do të kërkojë takim me Filipçe që SDSM ta zhbllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor

Ministri i Drejtësisë tha se do t’i propozojë liderit të SDSM një bisedë për të gjetur rrugë për të vazhduar procesin e reformës zgjedhore.

·Maqedonia
Shasivari do të kërkojë takim me Filipçe që SDSM ta zhbllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor

Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari njoftoi se në periudhën e ardhshme do të kërkojë një takim me deputetin dhe liderin e SDSM, Venko Filipçe, për të diskutuar mundësinë e zhbllokimit të miratimit të Kodit të ri Zgjedhor.

Shasivari bëri këtë njoftim pas takimit me anëtarët e grupit të punës për reformën e legjislacionit zgjedhor. Në takim morën pjesë përfaqësues të të gjitha partive parlamentare, përveç delegatëve të SDSM-së.

Hapat e ardhshëm

“Besoj se procesi zgjedhor dhe reforma e legjislacionit zgjedhor janë çështje që kërkojnë një konsensus të gjerë politik dhe institucional. Prandaj, në periudhën e ardhshme do të kërkoj një takim me kryetarin e SDSM-së, Venko Filipçe, me qëllim të diskutojmë çështjet e hapura dhe të gjejmë mënyrën që procesi të vazhdojë. Pres që SDSM të bashkohet në takimin e ardhshëm të grupit të punës dhe të japë kontributin e vet në reformë,” tha ministri i drejtësisë Jeton Shasivari.

Ai theksoi se dallimet në qëndrimet politike nuk duhet të pengojnë përmirësimin e sistemit zgjedhor dhe hartimin e një legjislacioni zgjedhor që të jetë i qëndrueshëm, i parashikueshëm, transparent dhe i përputhshëm me standardet evropiane dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Nuk pres që të gjithë të pajtohemi për gjithçka. Por pres që të flasim. Kjo reformë tejkalon interesat ditore politike dhe prek çdo qytetar, sepse rregullat zgjedhore lidhen direkt me besimin në procesin demokratik dhe në institucionet. Kodi Zgjedhor nuk i përket asnjë partie politike. Ai është një ligj që përcakton rregullat demokratike sipas të cilave qytetarët ushtrojnë vullnetin e tyre të shprehur lirisht. Prandaj, të gjithë aktorët politikë kanë detyrimin të flasin,” shtoi ai.

Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë dialogun me Parlamentin, partitë politike, komunitetin ekspert, organizatat qytetare dhe institucionet relevante për të siguruar një proces inkluziv dhe zgjidhje cilësore për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor.

Foto: Ministerstvo za pravda

Artikuj të ngjashëm