Ákos Hadházy publikon fotografi të Nikola Gruevskit në Budapest dhe kërkon ekstradim
Hadházy tha se fotografitë e tregojnë Gruevskin në qendër të Budapestit dhe kërkoi që qeveria e re hungareze të rishqyrtojë azilin e tij.

Politikani i opozitës hungareze, Ákos Hadházy, publikoi në profilin e tij në Facebook fotografi që tregojnë ish-kryeministrin maqedonas Nikola Gruevski duke ngrënë në një restorant në qendër të Budapestit. Hadházy tha se fotografitë i bëri një qytetar hungarez që e njohu Gruevskin në kryeqytet.
Hadházy kërkon heqjen e azilit dhe riatdhesimin
Në postim ai kujtoi se Gruevski është dënuar me vendim të formës së prerë në Maqedoninë e Veriut dhe se në vitin 2018, me ndihmën e diplomatëve hungarezë, mbërriti në Hungari, ku mori azil politik gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Ai shkroi: "Supozoj, më saktë shpresoj, që qeveria e re thjesht e ka harruar atë. Por ne mund të kontribuojmë shumë dhe lehtë për të sqaruar rastet në Maqedoni nëse i heqim azilin politik dhe e kthejmë Gruevskin."
Hadházy gjithashtu kritikoi lidhjet politike të Gruevskit me Viktor Orbán dhe me ish-ministrin hungarez të Jashtëm Péter Szijjártó. Ai paralajmëroi se, sipas vlerësimit të tij, njerëz të lidhur me Gruevskin ende kanë ndikim në Maqedoninë e Veriut, dhe për këtë arsye çështja e përgjegjësisë politike duhet të trajtohet seriozisht edhe në Hungari.
Postimi përmend biznesmenin hungarez László Szí dhe thotë se kompani të lidhura me të janë përfshirë në punime për një autostradë në Maqedoninë e Veriut.
Publikimi vjen pas ndryshimit të qeverisë në Hungari: në maj të këtij viti, Péter Magyar mori detyrën e kryeministrit pas disfatës zgjedhore të Viktor Orbán.
Fotografitë dhe apeli i Hadházy-t pritet të riaktivizojnë diskutimin në Budapest dhe Shkup lidhur me pasojat ligjore dhe politike të azilit të Gruevskit, duke përfshirë edhe mundësinë e rishqyrtimit të statusit të tij prej autoriteteve hungareze.
Foto: material shtypi nga ngjarja


