Klinika Universitare e Psikiatrisë shënon Ditën Botërore të Shëndetit Mendor — kërkohet që kërkimi i ndihmës të mos shihet si dobësi
Thirrje për të prishur stigmat dhe për të forcuar qasjen dhe mbështetjen për shëndetin mendor.

Klinika Universitare e Psikiatrisë shënoi Ditën Botërore të Shëndetit Mendor më 10 tetor duke nënvizuar nevojën për dëgjim, mbështetje dhe respekt për njerëzit që jetojnë me vështirësi mendore.
Këtë vit fushata është nën moton „Përvoja personale: zëra të vërtetë, ndryshime të vërteta" dhe shtohet se aktivitetet do të vazhdojnë edhe pas datës së shënimit për të theksuar se përvojat e jetuara duhet të njihen si një formë e vlefshme dijesh.
"Në kohën kur depresioni, ankthi dhe vështirësitë e tjera mendore janë në rritje, e konsiderojmë me rëndësi të jashtëzakonshme të thyhet stigma dhe të dërgohet mesazhi se kërkimi i ndihmës nuk është një dobësi." deklaroi Klinika Universitare e Psikiatrisë.
Dhoma e Psikologëve u bëri thirrje institucioneve dhe vendim-marrësve të ndalen për një moment dhe të pyesin: "Si je, vërtet?" Dhoma theksoi se shëndeti mendor nuk duhet trajtuar vetëm në raste krize, por duhet ndërtuar përditë në familje, arsim, vendet e punës dhe në sistemin shëndetësor.
Të dy institucionet vunë në dukje se pas funksionimit të përditshëm shpesh fshihen lodhje, rraskapitje dhe beteja personale që mbeten të pashqyrtuara, për këtë arsye është e nevojshme që shoqëria të krijojë kushte për mbështetje dhe kujdes të drejtëpërdrejtë. Ato apeluan që krijuesit e politikave të sigurojnë shërbime më të arritshme, programe parandalimi dhe numër të mjaftueshëm specialistësh, ndërsa institucionet arsimore të rrisin fokusin tek mirëqenia psikologjike e fëmijëve dhe të rinjve.
Klinika tha se fushata do të vazhdojë në periudhën në vijim, me synimin që zërat dhe përvojat e personave me sfida mendore të dëgjohen dhe respektohen.
Foto: material shtypi nga ngjarja


