Të paktën 150 persona arrestohen në Stamboll gjatë protestës në mbështetje të LGBT
Policia ndaloi një konferencë për shtyp para Gjykatës Çağlayan dhe arrestoi të paktën 150 persona; ministria e drejtësisë hapi hetime në 15 provinca.

Të paktën 150 persona u arrestuan nga policia në Stamboll gjatë një tubimi që synonte të shprehte mbështetje për komunitetin LGBT.
Tubimi u zhvillua para Gjykatës Çağlayan, ku demonstruesit planifikuan një konferencë për shtyp për të protestuar ndaj arrestimeve të mëparshme të anëtarëve të komunitetit LGBT. Policia e ndaloi mbajtjen e tubimit dhe ndërhyri, duke arrestuar të paktën 150 pjesëmarrës.
Hetime të hapura në të 15 provincat
Ministri i Drejtësisë së Turqisë, Akin Gjurlek, njoftoi se janë hapur hetime ndaj 162 të dyshuarve, nëntë shoqatave dhe 13 kompanive në gjithsej 15 provinca. Ministria e drejtësisë thotë se hetimet lidhen me dyshime për ndërmjetësim në prostitucion, shpërndarje të materialeve të pahija, ekspozim të fëmijëve ndaj këtyre materialeve dhe vepra të tjera penale.
Autoritetet turke e paraqesin operacionin si pjesë të politikës për mbrojtjen e fëmijëve, familjes dhe rendit publik. Sidoqoftë, organizatat e të drejtave të njeriut dhe një pjesë e opozitës thonë se hetimet penale përdoren si mjet për shtypje më të gjerë ndaj komunitetit LGBT dhe shoqërisë civile.
Në Izmir, një gjykatë të hënën vendosi paraburgim për 16 nga 18 të arrestuarit në lidhje me të njëjtin operacion, një zhvillim që ka shkaktuar kritika nga aktivistët për të drejtat e njeriut, të cilët paralajmërojnë për rritje të presionit ndaj personave LGBT në Turqi.
Në një postim të Börte Medya më 15 shtator 2026 citohen dëshmitarë: "Policia ndërhyri në njoftimin për shtyp që donte të mbahej përpara Gjykatës Çağlayan, kundër operacionit të drejtuar ndaj personave LGBTİ+. Mediat u larguan, dhe ata nën rrethim po arrestohen. Për të penguar regjistrimin e pamjeve, u krijua një rrethim i dytë me autobusë." — Börte Medya (@MedyaBorte), 15 shtator 2026.
Foto: material shtypi nga ngjarja


