BE do të sigurojë 40 milionë euro shtesë për përforcimin e kapaciteteve ushtarake të Maqedonisë së Veriut, tha Michalis Rokas
Kreu i Delegacionit të BE në Shkup tha se fondet do të shtohen mbi rreth 65 milionët e mëparshëm të destinuar për sigurinë.

Bashkimi Evropian do të sigurojë edhe 40 milionë euro shtesë për të forcuar kapacitetet ushtarake të Maqedonisë së Veriut, përtej rreth 65 milionëve euro që tashmë janë ndarë, deklaroi kreu i Delegacionit të BE në Shkup, Michalis Rokas, gjatë një panel-diskutimi publik.
Rokas foli në eventin me titullin "Për lidhshmëri strategjike për stabilitet: BE-ja dhe Maqedonia e Veriut në realitetin e ri gjeopolitik", të organizuar nga Instituti për Demokraci "Societas Civilis" – Shkup dhe Fondacioni Konrad Adenauer. Ai shpjegoi instrumentet me anë të të cilave BE-ja mbështet lidhjet rrugore, hekurudhore, energjetike dhe digjitale në vend.
Mbështetje e gjerë për infrastrukturë dhe siguri
"Prandaj duam të ofrojmë një përgjigje edhe në fushën e sigurisë. Pikërisht për këtë arsye, përmes Instrumentit Evropian të Paqes kemi ndarë thuajse 65 milionë euro për Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë se së shpejti do të mund të sigurojmë edhe 40 milionë euro shtesë për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit dhe, si anëtare e NATO-s, për përmirësimin e sigurisë sonë," tha Rokas.
Ai shtoi se përgjigja e BE-së dhe e qeverisë ndaj sfidave aktuale është gjithëpërfshirëse, sepse lidhshmëria, stabiliteti ekonomik dhe siguria janë të ndërlidhura. "Ne përpiqemi t'i shohim të gjitha këto çështje nën të njëjtën prizëm," u shpreh ai.
Rokas kujtoi po ashtu mbështetjen afatgjate për lidhshmërinë infrastrukturore që prej vitit 2007 përmes instrumenteve të ndryshme financiare: 1.2 miliardë euro përmes Instrumentit për Ndihmë para-Anëtarësimit, 1.8 miliardë euro shtesë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor dhe 750 milionë euro përmes Planit të Rritjes së BE-së, i zbatuar përmes Agjendës së Reformave. Ai theksoi se mbështetja përfshin jo vetëm rrugët dhe hekurudhat, por edhe lidhjet energjetike dhe digjitale dhe ndihmën teknike për zbatimin e projekteve.
Ai lidhi investimet edhe me angazhimin e BE-së për integrimin evropian të vendit. "Ne jemi fort të përkushtuar që Maqedonia e Veriut sa më shpejt të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Por kjo ndikon edhe tek ne dhe është shumë e rëndësishme për ne. Nuk bëhet fjalë vetëm për faktin se dy korridoret jetike, Korridori 10 dhe Korridori 8, kryqëzohen jo shumë larg Shkupit. Arsyeja është gjithashtu se jemi të vetëdijshëm se sot ekzistojnë zinxhirë vlerash dhe se edhe nëse prishen vetëm pjesë të vogla të tyre, kjo ndikon tek të gjithë ne," tha ai.
Në kontekst më të gjerë gjeopolitik, Rokas paralajmëroi se bota përballet me pasiguri të madhe: luftërat dhe konfliktet — nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, përmes konflikteve në Lindjen e Mesme, deri te luftërat në kontinentin afrikan, përfshirë Sudanin dhe Malin — po ndërpresin tregtinë dhe rrugët e transportit, rrisin çmimet dhe ushtrojnë presion mbi familjet. "Më falni, kjo është për shkak të luftërave; ju duhet të gjeni zgjidhje," tha ai, duke theksuar se bashkëpunimi dhe lidhshmëria janë të nevojshme për ndërtimin e rezistencës dhe sigurimin e stabilitetit.
Foto: Printskrin


