Vesna Janevska në Japoni: Po shqyrtohet mundësia për hapjen e qendrave të shkëlqimit në Maqedoni
Janevska u takua me zyrtarë japonezë dhe udhëheqës universitarë për të shqyrtuar mbështetje dhe partneritete për Maqedoninë e Veriut.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni, ku zhvilloi biseda me përfaqësues të lartë të institucioneve arsimore, shkencore dhe shtetërore për thellimin e bashkëpunimit dypalësh. Një nga çështjet e trajtuara ishte mundësia e mbështetjes japoneze për hapjen e qendrave të shkëlqimit në Maqedoninë e Veriut.
Në takimin me ministrin japonez të Arsimit, Kulturës, Sportit, Shkencës dhe Teknologjisë, Yoshihiro Seki, u shkëmbyen përvoja mbi funksionimin e sistemeve arsimore dhe masa për nxitjen e aktivitetit kërkimor. Janevska shprehu falënderim për mbështetjen ekzistuese të Japonisë, veçanërisht për bursat për studentët maqedonas dhe ndihmën në modernizimin teknik dhe pajisjen e shkollave.
Ajo u takua gjithashtu me Drejtoreshën e Përgjithshme të Institutit Kombëtar për Politikë Arsimore të Japonisë, Mizue Shiomi, ku diskutuan për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies, zhvillimin e mendimit krijues dhe kritik tek nxënësit dhe përgatitjet për testimin ndërkombëtar PISA, ku Japonia traditërisht arrin rezultate të larta.
Projekte partneriteti dhe lidhje institucionale
Programi i ministres përfshiu takimin me zëvendësministren parlamentare për çështjet e jashtme, Akiko Ikuina. Ajo njoftoi se Japan External Trade Organization (JETRO) dhe Japan International Cooperation Agency (JICA) do të vazhdojnë punën për të gjetur mundësi të reja bashkëpunimi.
Janevska vizitoi Universitetin e Tokios dhe bisedoi me presidentin e tij, Teruo Fujii, për thellimin e bashkëpunimit me universitetet e Maqedonisë së Veriut. Në fokus ishin mundësitë për pjesëmarrje të përbashkët në programin Horizon Europe, shkëmbimin e profesorëve dhe studentëve dhe krijimin e partneriteteve të reja akademike.
Programi i vizitës përfshiu edhe takime në Ambasadën e Maqedonisë në Tokio, ku Janevska dhe ngarkuesja e detyrës, Kristina Stojchevska, u takuan me ish-ambasadorin japonez në Maqedoni, Kazuya Otsuka, si dhe me studentë maqedonas dhe nxënës japonezë të shkollave të mesme që studiojnë gjuhën maqedonase.
Foto: material shtypi nga ngjarja


