Kryefaqja
Politika

Osmani: Shtyrja e integrimit evropian kërcënim ekzistencial, anëtarësimi në BE të ngrihet në nivel të sigurisë kombëtare

Në panelin e organizuar nga Instituti “Abdilakim Ademi”, Osmani tha se ngadalësimi i anëtarësimit ushqen emigrimin dhe ekspozimin gjeopolitik.

·Politika
Osmani: Shtyrja e integrimit evropian kërcënim ekzistencial, anëtarësimi në BE të ngrihet në nivel të sigurisë kombëtare

Bujar Osmani tha se vonesat në integrimin evropian po kthehen në një kërcënim ekzistencial për Maqedoninë e Veriut dhe kërkoi që anëtarësimi në Bashkimin Evropian të ngrihet në nivel të sigurisë kombëtare, gjatë një paneli të organizuar nga Instituti „Abdilakim Ademi“.

Rreziqet demografike dhe gjeopolitike

Ai theksoi se shpejtimi i procesit të integrimit dhe zvogëlimi i hendekut të zhvillimit me BE-në nuk janë më vetëm çështje e standardit të jetesës, por edhe e mbijetesës demografike të shtetit.

“Skenari pesimist i OKB-së parashikon që deri në vitin 2100 vendi ynë mund të mbetet me vetëm 524,000 banorë. Sa më i madh hendeku i zhvillimit midis nesh dhe BE-së, aq më i fortë është presioni për emigrim,” tha Osmani.

Përtej demografisë, ai paralajmëroi për rreziqe gjeopolitike, duke vënë në dukje se në një periudhë kur flitet gjithnjë e më shpesh për “Jalta 2” dhe rikthim të sferave të ndikimit, Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet në zonën gri të Evropës.

“Historia na ka mësuar se kur fuqitë e mëdha negociojnë për sfera të ndikimit, shtetet e vogla rrezikojnë të bëhen subjekt i marrëveshjeve, në vend që të jenë subjekte të vendimmarrjes,” vlerësoi ai, duke kërkuar që çdo prioritet shtetëror të vlerësohet përmes kësaj përcaktimi strategjik.

“Ne rrezikojmë të humbasim njëkohësisht dy gjëra: njerëzit tanë përmes emigrimit dhe të ardhmen tonë përmes pasigurisë gjeopolitike. Koha po bëhet kërcënimi ynë më i madh,” përfundoi Osmani, duke kërkuar veprime të menjëhershme dhe prioritete të reja për përshpejtimin e integrimit.

Foto: material shtypi nga ngjarja

Artikuj të ngjashëm