Gjermania do të ketë mungesë mbi 700,000 punëtorë deri në 2029
Parashikimet tregojnë më shumë se 700,000 vende të paplotësuara deri në 2029, me presion të madh në sektorët e shitjeve, kujdesit për fëmijët dhe shëndetësisë.

Gjermania mund të përballet me një mungesë shumë më të madhe të fuqisë punëtore të kualifikuar në vitet e ardhshme, ndërsa parashikimet tregojnë se deri në vitin 2029 do të mungojnë më shumë se 700,000 punonjës për shkak të ndryshimeve demografike dhe largimeve në pension.
Sipas llogaritjeve, deri në vitin 2029 tregu i punës në Gjermani mund të ketë një deficit prej rreth 723,000 punonjësish të kualifikuar në sektorë të ndryshëm. Kjo është afërsisht dy herë më shumë se mungesa prej rreth 370,000 vetash e regjistruar vitin e kaluar.
Sektori i shitjeve pritet të shënojë deficitin më të madh të vetëm — rreth 39,100 vende pune në shitje mund të mbeten të zbrazëta deri në 2029. Gjithashtu pritet një nevojë e madhe për punonjës në kujdesin për fëmijët, me rreth 29,900 vende që mund të mungojnë.
Sektoret më të ndikuara
Pas tyre vijnë puna sociale dhe pedagogjia sociale, me rreth 23,600 vende që mund të mbeten të paplotësuara. Sektori i shëndetësisë dhe kujdesit mjekësor mund të përjetojë një mungesë prej rreth 18,700 punonjësish, ndërsa industria elektrike mund të ketë nevojë për rreth 17,000 specialistë të kualifikuar deri në 2029.
Autori i studimit, Aleksandar Burshtede, paralajmëron se dalja në pension e një numri të madh punonjësish do të jetë një nga faktorët kryesorë që do ta zgjerojë hendekun ndërmjet ofertës dhe kërkesës në tregun e punës gjerman. Në të njëjtën kohë, prurjet e punonjësve nga jashtë pritet të mos jenë të mjaftueshme për t'i mbuluar plotësisht largimet për shkak të pensionimit.
Mungesa e fuqisë punëtore përbën një sfidë për kompanitë dhe shërbimet publike, veçanërisht në sektorë që tashmë janë nën presion si shëndetësia, kujdesi për të moshuarit, kujdesi për fëmijët dhe shërbimet sociale. Nëse trendet aktuale vazhdojnë, sigurimi i stafit të kualifikuar dhe tërheqja e punonjësve të huaj do të mbeten çështje kyçe për ekonominë më të madhe evropiane.
Foto: Fripik


