Interes i ulët për vaksinimin kundër gripit sezonal te gratë shtatzëna dhe fëmijët
Klinika Kozle regjistron më shumë vizita respiratore te fëmijët, por nuk ka raste të konfirmuara të gripit deri tani.

Interesi i ulët për vaksinimin kundër gripit sezonal vërehet te gratë shtatzëna dhe fëmijët, të cilët konsiderohen grup rreziku, ndërsa interes më i madh ka tek të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike. Sipas pediatërve të Klinikës Universitare për Sëmundje Respiratore tek Fëmijët – Kozle, janë rritur vizitat ambulatore të fëmijëve në këtë periudhë, por deri tani nuk është konfirmuar ndonjë rast i izoluar i gripit.
“Fatkeqësisht në vendin tonë shkalla e vaksinimit kundër gripit sezonal te gratë shtatzëna dhe te fëmijët është ende e ulët, por po shohim që trendi rritet me vite. Ne gjithmonë rekomandojmë që fëmijët nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç, për të cilët vaksinimi është falas, të pranojnë vaksinën për gripin sezonal, si dhe fëmijët me sëmundje kronike. Vaksina, si çdo vaksinë tjetër, mbron nga format më të rënda të sëmundjes. Gripi sezonal shpesh shfaqet me simptoma respiratore, por mund të ketë edhe simptoma neurologjike dhe sistemike gjatë infektimeve me grip, kështu që kjo vaksinë mbron nga shfaqja më e rëndë klinike,” tha Dr. Filip Doksimovski nga Klinika Universitare për Sëmundje Respiratore tek Fëmijët – Kozle.
Rastet e shtrimit dhe mbështetja me oksigjen
Në klinikë, më shpesh shikohen fëmijë me simptomatologji respiratore. Fëmijët e shtruar në spital kanë infeksione të poshtme respiratore dhe pneumoni, qoftë me etiologji virale ose bakteriale. Disa prej tyre kërkojnë mbështetje me oksigjen, gjë që mjekët e shohin të pritshme për këtë periudhë të vitit.
“Në këtë moment kemi rreth 5–6 fëmijë që janë në mbështetje me oksigjen. Por pavarësisht kësaj mund të them se gjendja e tyre është e qëndrueshme,” tha Dr. Filip Doksimovski.
Mjekët bëjnë thirrje që prindërit, kur vërejnë kollë më të shprehur ose temperaturë të ngritur të trupit, ta largojnë fëmijën nga kolektivi nëse është në kopësht ose shkollë, të fillojnë mjekimin në shtëpi dhe terapinë simptomatike në konsultim me mjekun amë, i cili do të ndjekë gjendjen dhe do të reagojë në kohë nëse nevojitet.
Reportazh nga Nina Stefanova.
Foto: material shtypi nga ngjarja


